Tensionet në veri/ CNN: Kosova i bën thirrje NATO-s për ndërhyrje

Tensionet në veri të Kosovës janë pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare. CNN i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, ku është ndalur tek deklaratat e kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

“Kryeministri i Kosovës u bëri thirrje trupave paqeruajtëse të NATO-s që të ndërhyjnë pasi protestuesit e pakicës serbe bllokuan rrugët dhe persona të armatosur të panjohur shkëmbyen zjarr me policinë gjatë fundjavës mes tensioneve etnike në rritje në veriun e Kosovës.

Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë të dielën, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga Forca e Kosovës (KFOR), një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO, të garantojë “lirinë e lëvizjes”, pasi ai akuzoi “bandat kriminale” për bllokimin e rrugëve”, shkruan CNN.

Ndërsa vijon të pasqyrojë situatën në veri të Kosovës, CNN ndalet dhe tek deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe tek kërkesa e Bashkimit Europian, e SHBA-së dhe NATO-s, ku këto të fundit kërkuan përmbajtje nga të dyja palët dhe heqjen e barrikadave.

Në javët e fundit, minoriteti serb në Kosovën veriore i janë përgjigjur me rezistencë të dhunshme lëvizjeve të Prishtinës që ata i shohin si antiserbe.

Të shtunën, protestuesit serbë bllokuan rrugët kryesore pas arrestimit të një ish-polici serb. Policia e Kosovës me armë zjarri në disa lokacione u kundërpërgjigj në vetëmbrojtje.

Ndërkohë, një granatë është hedhur në veturën e EULEX-it, misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Nuk ka pasur të lënduar.

Ish-oficeri i policisë “akuzohet për kryerjen e akteve terroriste dhe sulmin ndaj rendit kushtetues”, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e akuzojnë atë për organizimin e sulmeve ndaj komisionit zgjedhor dhe policisë së vendit.

Pas shpërthimit, BE, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kërkuan përmbajtje nga të dyja palët dhe kërkuan heqjen e barrikadave.

Autoritetet kosovare gjithashtu shtynë zgjedhjet lokale për në prill që do të mbaheshin fundjavën e ardhshme.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se Beogradi do t’i kërkonte KFOR-it që ta lejonte Serbinë të vendoste ushtrinë dhe policinë në Kosovë, por pranoi se nuk kishte asnjë shans për t’u dhënë leje.

Të dielën, Vuçiç tha se Serbia kërkoi lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga veriu i Kosovës, por gjithashtu kërkon të ulë tensionet në rajon.

Vuçiç akuzoi autoritetet në Prishtinë dhe kryeministrin e Kosovës Kurti për nxitje të tensioneve duke bërë “lëvizje të panumërta të njëanshme”.

“Sa herë që dikush mendon se kemi diçka të zgjidhur, shfaqet një problem tjetër”, tha Vuçiç.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.