Gjendet thika me të cilën dyshohet se u godit për vdekje 14-vjeçari Martin Cani

Është gjetur thika e dyshuar me të cilin 15 vjeçari Mario Përlleshaj vrau 14 vjeçarin Martin Cani, në afëri të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj ka mësuar se është gjetur edhe çanta e autorit, të cilën ai e fshehu ditën që goditi me thikë bashkëmoshatarin.

Thika është gjetur pranë ish -ATSH në afërsi të gjykatës së Apelit në Tiranë.

Njoftimi:

Në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen e ndodhur në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ditën e sotme, në afërsi të ATSh-së, në rrugën “Fadil Rada” është gjetur mjeti prerës (thika) që autori dyshohet se ka përdorur gjatë ngjarjes.

Kujtojmë që ditën e sotme gjyqtarja Lorena Çabej e gjykatës penale mbërriti në një spital privat, ku edhe i komunikoi masën e sigurisë.

Mario Përlleshi ndodhet në spital, ku po merr mjekime pasi mbeti edhe vetë i plagosur, por ende nuk është zbardhur sesi përfundoi i prerë edhe vetë me thikë në krah.

Pasi të përfundojë mjekimet e nevojshme, adoleshentit do t’i duhet të shkojë në paraburgimin e Institutit të të Miturve në Kavajë, deri në një vendim përfundimtar.

Të enjten prokurorja Felaj e rikualifikoi veprën penale, nga “vrasje me dashje” siç ishte referuar nga policia në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” duke i rënduar pozitën përballë ligjit.

Ai mund të rrezikojë një dënim deri në 17 vite burg.

Të hënën e 18 nëntorit, Shqipëria u trondit nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u qëllua nga Përlleshi pas një konflikti mes tyre pranë shkollës Fan Nolin ë Tiranë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.