Ka marrë përmasa tragjike ngjarja e ndodhur paraditen e kësaj të hëne pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Një 14-vjeçar, i cili mbeti fillimisht i plagosur, ka ndërruar jetë në spital. Mësohet se kishte marrë plagë me thikë në zemër dhe pavarësisht ndërhyrjes adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë.
Nga sherri, ku sipas policisë u përfshinë 3 adoleshentë të gjithë të moshës 14-vjeçare, mbeti i plagosur edhe një tjetër. Ai mësohet se ka marrë goditje në kraharor dhe gjendja shëndetësore paraqitet stabël.
“Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, tha policia në një njoftim për mediat