Thellohet tragjedia në Serbi, shkon në 13 numri i viktimave pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor

Miks Albania

Thellohet tragjedia në Novi Sad pas shembjes së çatisë në një stacion hekurudhor. Më herët ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç tha se 8 persona kishin humbur jetën, ndërsa disa të tjerë ishin bllokuar nën rrënoja. Fatkeqësisht, nga rrënojat janë nxjerrë trupat e pajetë të 5 personave, duke e çuar në 13 numrin e të vdekurve.

“E dinim se kishte edhe pesë persona të tjerë nën rrënoja, për të cilët nuk e dinim nëse ishin gjallë apo të vdekur”, u tha Daçiç gazetarëve.

Njerëzit ishin ulur në stola në pjesën e jashtë të stacionit hekurudhor në Novi Sad, kur u shemb çatia. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites së sotme, sipas mediave serbe.

Në kërkim u përfshinë rreth 80 ekipe shpëtimi nga i gjithë vendi, duke përdorur makineri të rënda.

Ndërtesa e stacionit hekurudhor u rinovua në vitin 2021 dhe u rinovua sërish këtë vit.

Kryeministri Millosh Vuçeviç tha se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat, të cilët duhet të merreshin me mirëmbajtjen e ndërtesës, e cila u ndërtua në vitin 1964.

Vuçeviç tha se e premtja ishte një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.

“Kjo është një tragjedi e madhe, e tmerrshme për Novi Sadin dhe për të gjithë Serbinë,” shtoi ai, duke dërguar ngushëllime për familjet e viktimave.

Qeveria e shpalli të shtunën ditë zie.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.