Çamçakëz drogë në shkolla? Policia: U sekuestrua tableta me ngjyrë jeshile

Miks Albania

Dy ditë më parë u bë një denoncim për një tabletë që konsumohej nga nxënësit si çamçakëz, që po shkaktonte përgjumje të fëmijëve. 

Sot ka ardhur edhe reagimi i policisë, e cila bën me dije se ka sekuestruar tabletën në një shkollë në Yzberisht dhe nga analizat në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP rezulton se kjo tabletë nuk përmban lëndë psikotrope. 

Po sipas analizave kjo tabletë ka në përbërje vitaminë E. 

“Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se: 

Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E”,-thuhet në njoftimin e policisë. 

Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat. 

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.