Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit, pasi akuzohet për ngacmim seksual e tentativë përdhunimi.
Në rastin e parë, ngjarja është regjistruar në një lokal, ku dy burra kanë ngacmuar seksualisht një 18-vjeçare.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ngacmimi seksual”, shtetasit S. K., 40 vjeç dhe D. P., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Kryevidh, pasi mbrëmjen e djeshme, ka kallëzuar një shtetase 18 vjeçe, se këta 2 shtetas e kanë ngacmuar seksualisht, në një lokal”, njofton policia.
Ndërkohë, një 18-vjeçar është arrestuar, pasi ka tentuar të përdhunojë një shtetase australiane 21 vjeçe.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë më të rritura”, mbetur në tentativë, shtetasin I. B., 18 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme ka kallëzuar një shtetase australiane 21 vjeçe, se ky shtetas ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të”, thuhet në njoftim.