Një atentat ka tronditur mesditën e kësaj të marte Tiranën, ku dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Don Boscos, ku pre e plumbave kanë rënë 45-vjeçari Kastriot Elezaj dhe Ronaldo Metushi 22-vjeç.
Autorët dyshohet se kanë qenë tre persona: dy qitësa dhe i treti ishte në timonin e mjetit Volksvagen Golf, që është përdorur në krim.
Ata kanë qëlluar me pistoletë me silenciator dhe plumbat kanë kapur Elezajn dhe Metushin përkatësisht në gjoks dhe në këmbë.
Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se mjeti i dyshuar i përdorur në atentat është gjetur i djegur në Qerekë në afërsi të Rinasit.
“Në territorin e komisariatit 5 është gjetur një makinë e djegur dhe dyshohet se u përket autorëve. Targat nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Janë gjetur 7 gëzhoja, të nxjerra nga një armë zjarri. Në makinë është gjetur një armë zjarri e cila po analizohet”, tha Vocaj.
Drejtori sqaroi edhe detaje nga rrethanat e atentatit.
“Ishin në të njëjtën tavolinë, kanë lidhje shoqërore me njëri tjetrin. Mendohet se kanë qenë 3 persona përfshirë dhe drejtuesin. Tek personat nuk janë gjendur sende të jashtë ligjshme. Njëri prej tyre ka precedent penal. Po hetojmë për backgraundin që të plagosurit kanë dhe konfliktin e mundshëm që kanë. Autorët kanë qëlluar nga makina. Nuk kanë zbritur kemi pamje filmike të mënyrës si ka ndodhur ngjarja. Kanë hapur zjarr nga makina ka probaballitet të kenë qenë të maskuar”, tha Vocaj.
Burime konfirmojnë se Kastriot Elezaj ka qenë i dënuar në Itali për prostitucion. 45-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimin e tij dhe pasi ka kryer dënimin është kthyer në vendin tonë.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit dhe të bizneseve përreth, ndërkohë që ka shoqëruar disa persona të cilët ishin prezent në momentin e atentatit.