Vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin në Astir, Gjykata lë në burg Darment Kelin

Miks Albania

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Darment Kelin, i cili disa ditë më parë vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari.

Në qeli u la edhe Ardi Marishta i cili ishte duke drejtuar motorin ku ndodhej së bashku me viktimën. Marishta akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ngjarja ndodhi në Astir më 24 gusht. Para grupit hetimor, Keli ka rrëfyer se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës, shkaku që ka çuar deri në ngjarjen e rëndë.

“Sapo kisha arritur afër shtëpisë bashkë me të fejuarën. Ajo shkoi tek parkimi dhe unë u ngjita lart kur pashë një motor që po e ndiqte dhe po e ngacmonin. Nga ballkoni u fola por me ofenduan. Mora thikën dhe zbrita poshtë. Ata ishin dy veta. Amarildo Hoxhallari me ofendoi sërish dhe më goditi. Në sherr e sipër e godita me thikë që kisha marrë në shtëpi. Nuk kisha qëllim ta vrisja por me ofendoi dhe më goditi përpara”, tha Darment Keli në dëshminë e tij.Uniformat blu i vunë prangat të riut menjëherë pas ngjarjes, ndërsa 34 vjeçari nuk i mbijetoi dot plagëve në gjoks dhe në këmbë duke ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Ndërkohë në pranga përfundoi edhe shoferi i motorit ku ndodhej viktima pasi u provua se po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Amarildo Hoxhallari në fakt është emër i njohur për autoritetet, pasi në vitin 2015 ai dhe kushëriri i tij Aurel Hoxhallari, u dyshuan si organizatorë të atentatit  ndaj mikut të Emiljano Shullazit, Pajtim Serjani. Pak kohë më pas ai u la lirë, ndërsa kushëriri i tij vijon të jetë ende në kërkim.

Nga atentati mbetën të plagosur polici Roland Mete dhe Pajtim Serjani, të cilët ishin ulur në një kafe në Rrugën e Kavajës, kur një person i maskuar hyri i armatosur dhe hapi zjarr. Në tavolinë me të gjendej edhe efektivi Roland Mete, i cili u kundërpërgjigj duke qëlluar me armën e shërbimit.

Atentatori u gjet i vdekur rreth 1 kilometër larg vendit të krimit, ndërsa policia pasi e identifikoi viktimën, bëri me dije se ishte vrasës me pagesë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.