Faik Hajdini, një 72 vjeçar nga fshati Zhapokikë 2 në Memaliaj është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm (20 gusht) nga familjarët, disa orë pasi kishte humbur kontaktet me ta.
Fillimisht u dyshua se kishte rënë në humnerë, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për vrasje.Policia arriti të zbulonte se Faik Hajdini ishte vrarë nga fqinji i tij Berti Kanushi dhe më pas me ndihmën e dy kushërinjve Skënder dhe Bledar Hajdini, ishte hedhur në humnerë.
Trupi përfundoi në përroin e fshatit.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve të vazhdueshme që Faik Hajdini kishte me fqinjin e tij Berti Kanushi, për një gardh që ndante shtëpitë e tyre.
Dhe mesa duket, për këtë gardh i kanë marrë dhe jetën 72-vjeçarit.
Berti Kanushi është shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës pasi ka prova të forta se ai është autor i krimit, ndërkohë që në pranga kanë rënë dhe dy kushërinjtë e viktimës, Skënder dhe Bledar Hajdini sepse kanë ndihmuar autorin, këta të fundit babë e bir.
Babë e bir rezulton se kanë ndihmuar Berti Kanushin të fshihte trupin e kushëririt të tyre dhe ta hidhte atë më pas në humnerë.
Nga plagët që janë konstatuar në kokë dhe në trup, Faik Hajdini dyshohet se është qëlluar për vdekje me sëpatë.