Shqiptarët në Britaninë e Madhe janë ende tematika më e “nxehtë” për Mbretërinë e Bashkuar. Një klimë “raciste” përveçse mediave, ka ardhur se fundmi dhe nga zyrtarët britanikë.
Ditët e fundit, një deklaratë që ka habitur jo pak ka qenë edhe ajo e komedianit britanik, Mark Steyn i cili ka folur ashpër për emigrantët shqiptarë. Në një emision që ky i fundit moderon, komediani i dedikoi mesazhin shqiptarëve me një monolog të gjatë, për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj tyre.
“Dje teksa po kaloja në ‘Tiranën e re’ të Metropolitanëve, policët mbyllën urën mbrapa meje dhe kur i pyetëm se pse, na thanë: sepse shqiptarët janë duke bërë xhirot e tyre në urë dhe kanë bllokuar gjithë trafikun. Pra, zgjidhja e pavlerë ishte të mbyllnin gjithë urën që shqiptarët të kënaqeshin duke bërë xhirot me makinat e tyre. Këta po ngisnin ‘Mercedes’, ja shikojeni. Meqë ra fjala, ky është flamuri shqiptar se do e shihni shumë shpesh. Ja dhe policia i ndihmon dhe i mbyll urat. Ja edhe po udhëtojnë me ‘Porche’. Po i përdorin për të bërë xhiro. Është qejf, ta bësh në ‘Lamborgini’”, tha komediani gjatë shfaqjes së tij.
Gazetari shpjegon në monologun e tij sesi policia britanike përveçse ka dështuar në një sërë çështjesh të tjera, po dështon edhe përballë shqiptarëve të cilët e kanë kthyer Londrën si ‘Tiranën’ e tyre të vogël.
“Policët në Britani janë të paaftë të kontrollojnë rendin, të paaftë për të vënë rregull dhe tani e dimë që janë të paaftë edhe të kontrollojnë trafikun. Kush e kontrollon trafikun publik? Epo mbrëmë, shqiptarët e “komanduan” gjithë trafikun”, tha ai.
Ministrja e Brendshme, britanike, Suella Braverman pak kohë më parë i ka etiketuar shumicën e emigrantëve shqiptarë si ‘kriminelë’. Kjo ka nxitur reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku kërkuan që Braverman t’u kërkonte ndjesë.