Vangjel Tavo është kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak të Himarës në zgjedhjet e 4 Gushtit. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët para se himariotët t’u drejtohen qendrave të votimit.
“Me Vangjel Tavo Himara do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve, ku Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat”, shkruan kryeministri në rrjetet e tij sociale.
Ndërkohë, Rama në prani të qytetarëve ka thënë se Tavo do të jetë një mbështetje shumë e madhe për Himarën.
“Tavo nuk bën fushata, bën komunikim me njeriun derë më derë dhe prag më prag. Pas Ruçit, është i dyti që ka numëratorin më të gjatë të celular. Po i çove mesazh, të merr direkt në telefon, se me atë është rritur kur ka qenë i vogël. Kur u bë i madh tha ç’më duhet mua PS-ja, jam i madh vetë, tani u kthye prapë për Himarën. Ky është i tëri i Himarës, unë jam përgjysmë. Këtu të gjithë janë himariotë, Himara i lidh bashkë të gjithë. Gjithë kjo që ka ndodhur është një mundësi e madhe, për ta parë në perspektivë për të kuptuar edhe arsyet pse kanë ndodhur. Pastaj flas kështu apo ashtu, më pëlqen më shumë jugu apo veriu, këto janë personale”, thotë në prani të qytetarëve Edi Rama.