Vjosa Osmanit tentojnë t’i marrin telefonin në Aeroportin e Shkupit, Presidenca e Kosovës: Sigurimi tentoi ta shtynte fizikisht

Miks Albania

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i kanë kërkuar t’i marrin telefonin personal në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Siç bën me dije Presidenca, situate është përshkallëzuar dhe sigurimi i aeroportit tentoi t’i merrte çantën me forcë zonjës Osmani.

Madje, bëhet e ditur se në një moment sigurimi i Aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht Osmanin duke bërë që policia e Kosovës të ndërhynte dhe të siguronte kalimin e saj.

Presidenca e Kosovës thekson se stafi i sigurisë së Aeroportit të Shkupit ka shkelur normat ndërkombëtare diplomatike.

Në reagimin e Presidencës thuhet më tej se personeli i aeroportit ka shpërfillur Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila mandaton mbrojtjen e figurave diplomatike dhe sendeve të tyre.

Reagimi i presidencës:

Konfirmojme se sigurimi i Aerporotit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për mardhënie diplomatike kanë tentuar t’ia marrin telefonin personal Presidentes Osmani. Kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyerjes fizike nga ana e sigurimit të Aerportit ndaj presidentes Osmani.

Me këtë rast kishte reaguar edhe Policia për ta hapur rrugën. Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes.

Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.

Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidences së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani. Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.

Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal.

Në ndihmë Presidentes i ka dalur, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi. Zëdhënësi i Presidentës së Kosovës e ka konfrimuar një gjë të tillë, duke falënderuar Gashin për ndihmën.

“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, – ka thënë Kupina.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.