Qese me plehra si këto po bëhen shkak për tensione të reja mes fqinjësh si Koreja e Jugut me atë të Veriut. Koreja e Jugut akuzoi Korenë e Veriut për hedhjen ditët e fundit të rreth 260 tullumbaceve që transportonin nga ajri, mbeturina që kanë rënë në zonat e banuara pranë kufirit.
Mbeturinat nuk janë të dëmshme. Ato përmbajnë mbetje të konsumit të përditshëm si bishta cigaresh, mbetje ushqimesh, bateri të përdorura apo copa të konsumuara veshjesh.
Ushtria koreano-jugore ka marrë në dorë situatën në zonat kufitare, ku mbeturinat kanë mbërritur nga përtej kufirit verior dhe kanë ndotur ambientin. Ky rast shqetësoi deri shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së jugut.
“Paralajmërojmë fuqimisht edhe një herë Korenë e Veriut, të ndalë menjëherë këtë aktivitet ç’njerëzor të një niveli të ulët që shkel marrëveshjen e armëpushimit”, tha Lee Sung-jun.
Për komunistët e veriut, tullumbacet s’janë gjë tjetër veçse “dhurata të sinqerta” si hakmarrje për fushatën me altoparlantë dhe fletushka nga Koreja e Jugut drejt Veriut, për të denigruar regjimin e Penianit.