Agron Llakaj humb bashkëshorten

Miks Albania

Agron Llokaj ka humbur bashkëshorten e tij, Kostandinën. Aktori i humorit, përmes një postimi në Instagram, rrëfeu dhimbjen dhe tregoi se e shoqja humbi jetën për shkak të një sëmundjeje.

“Kostandina ime e shtrenjtë! Edhe pse t’i kam thënë shumë e shumë herë, sot, në lamtumirën tënde të fundit, dua që t’i kesh me vete. Kemi pasur një rrugëtim të vështirë, të lodhur dhe me shumë sakrifica…ëndërruam për një jetë të re dhe me shumë ambicie. E që unë të mbaroja shkollën e lartë të arteve, ti sakrifikove nga jeta jote, rrite dy fëmijët: Alkidën dhe Enon”.

Më tej, Agroni vijon:

“Sa shumë ke sakrifikuar për ne. Ti ishe shtëpia, forca më e madhe që ne kishim ishe ti. Kur vendosëm të vinim drejt Tiranës për një të ardhme më të mirë ishe po ti që krijove Tiranën për mua. “Nuk do kthehemi mbrapa kurrë, Agron…beso në mua! Ne do t’ia dalim. Dhe ashtu ndodhi!”.-

“Dhe ecëm e ecëm, u rritëm dhe ne bashkë me fëmijët…u bëmë dikushi, i buzëqeshëm kohës dhe viteve. Të qenit nënë e babë e pastaj gjyshër. Sa shumë ëndrra. Por ja që jeta nuk është skenar i shkruar. Sëmundja e pabesë na e mbylli perden e skenës së jetës atëherë kur duhet ta shijonim më shumë.

“Dhe e fundit, Kostandina ime! Sot kam shumë lot për ty, por di që kur një artist largohet nga skena, merr duartrokitjet me vete. Ti ishe gjysma më e mirë e njeriut dhe artit dhe tani, me largimin tënd nga skena, unë e kërkoj një duartrokitje të madhe. Faleminderit Kostandina! Faleminderit GoNina! Lamtumirë në qiellin e engjëjve, aty ku shpirti yt i mirë e meriton! Më prit…nuk e di se kur, por ti do më presësh si përherë”, e përmbyll dedikimin Agron Llakaj.

Agroni dhe Kostandina kanë qenë të martuar për rreth 40 vite. Shpeshherë, aktori i humorit ka shprehur të gjithë mirënjohjen dhe dashurinë për të shoqen, duke treguar se kur erdhi në Tiranë, në moshën 27-vjeçare dhe ishin prindër të dy fëmijëve, Kostandina mori përsipër të rriste fëmijët dhe të sakrifikonte shumë për familjen.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.