Hamasi ka pranuar marrëveshjen për armëpushim përsa i përket luftës që po zhvillohet në Gaza. Marrëveshja e hartuar nga ndërmjetësit që kërkojnë armëpushim të luftës, Katari dhe Egjipti, duket se është pranuar nga Hamasi ndërkaq pritet një reagim nga Izraeli. Nuk dihet nëse kjo e fundit do të pranojë ose jo marrëveshjen për armëpushim. Lajmi është bërë i ditur nga media prestigjioze “BBC”, por ende nuk kanë dalë detaje të mëtejshme, nuk dihet se sa ka për të zgjatur armëpushimi dhe se çfarë do të ndodhë me pengjet që mbahen në Gaza.
Njoftimi për armëpushim vjen pasi Izraeli u ka bërë thirrje 100 mijë palestinezëve të largohen nga Rafahu lindor përpara zhvillimit të një operacioni të kufizuar ushtarak. Ndërkaq ushtria izraelite thotë se nuk është një evakuim në një shkallë të plotë pasi personat që do të evakuohen do t’u drejtohen kampeve të strehimit në Khan Younis dhe al-Mawasi.
Zyra e shtypit të Shtëpisë së Bardhë në SHBA bëri të ditur se ditën e sotme, presidenti Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit Beniamin Netanyahu. Biden ka bërë të qartë qëndrimin e tij për sulmet në Rafah. Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se nuk e mbështet pushtimin e Rafahut pa një plan të plotë ndihme për rreth 1.4 milionë civilët që jetojnë atje
Biden thotë se Netanyahu ka rënë dakord të sigurojë që kalimi Kerem Shalom të jetë i hapur që të kalojnë ndihmat humanitare për njerëzit që kanë nevojë, pasi këta të fundit po përballen me kushte shumë të vështira jetese, mungesë të ushqimeve, ujit dhe ilaçeve.
Gjatë bisedës telefonike dy liderët e dy vendeve diskutuan gjithashtu edhe për angazhimin e përbashkët të Izraelit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lufta në Gaza filloi më 7 tetor të vitit të kaluar kur ushtria e Hamasit sulmoi Izraelin jugor nga ku mbetën të vrarë të paktën 1200 njerëz dhe u morën peng rreth 252 të tjerë. Bilanci i luftës që prej fillimit të saj numëron së paku 34,700 persona të vrarë dhe me qindra mijëra të tjerë të marrë peng.