Hyn në fuqi Ligji për Lojërat e Fatit Online

Baste live

I hapet zyrtarisht rrugë kthimit të basteve sportive

 “Fundit të Marrëzisë” i erdhi fundi. Duke filluar nga kjo e hënë, hyn në fuqi ligji për rikthimin e lojërave të fatit, vetëm online, pesë vite pas nismës së qeverisë që mbylli mbi 4 mijë pika bastesh.

Për ushtrimin e këtij aktiviteti do të jepen një numër i kufizuar licensash, jo më shumë se 10, ndërsa do të monitorohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Edhe për kompanitë që do të përfitojnë licensat do të ketë disa kritere. Në garë do të marrin pjesë vetëm ato kompani që kanë ushtruar aktivitet të tillë në jo më pak se 3 vende të BE, që kanë një kapital fillestar 40 milion lekë, dhe të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë.

Kontroll do të ketë edhe mbi personat që do të luajnë online, të cilët do të regjistrohen me kartën e identitetit dhe transaksionet do t’i bëjnë nëpërmjet bankës.

Aktiviteti i basteve u shpall i paligjshëm nga 1 janari i vitit 2019, por fenomeni nuk ndaloi sidomos online. Ky aktivitet detyroi qeverinë të rikthente bastet online nëpërmjet një ligji.

Sipas qeverisë, ky ligj do të ndalojë informalitetin dhe se paratë që qarkullojnë në këtë treg do të jenë më të kontrolluara.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.