Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet ndaj familjarëve të viktimave dhe të plagosurve nga shpërthimi në Lushnjë. Në një njoftim zyrtar bëhet me dije se Presidenti Begaj ka zhvilluar një telefonatë me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për t’u njohur me situatën.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm z. Taulant Balla për t’u interesuar mbi ngjarjen fatkeqe, që ndodhi në Lushnjë, pasditën e sotme
Presidenti i shpreh ngushëllimet familjes Hoxha për humbjen tragjike të dy familjarëve të tyre të dashur”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Begaj i ka uruar shërim të shpejtë deputetit socialist, Bujar Çela dhe të plagosurve të tjerë.
“Presidenti i Republikës i uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe deputetit Bujar Çela”, përfundon njoftimi.
Si pasojë e shpërthimit në një biznes në Lushnjë, ndërruan jetë babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha.