Lirohet ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Lihet në arrest shtëpie, ezauroi afatet e paraburgimit

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të lërë qelinë e burgut. Vendimi është marrë këtë të martë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ka ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’.

Shkak për ndryshimin e masës është bërë fakti se kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Pak javë më parë GJKKO kërkoi nga SPAK që deri në datën 27 Shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Afati i përcaktuar nuk u zbatua për shkak të mungesës së së akt-ekspertimit topografik. Në këto kushte seanca u shty për më 18 Mars.

Vangjush Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.