KESH, jep dorëheqjen drejtori Ergys Verdho

Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Ergys Verdho, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është konfirmuar jo zyrtarisht nga burimet e KESH.

Dorëheqja është për shkak të largimit në një detyrë tjetër. Për momentin nuk ka një emër të ri, teksa drejtimi i korporatës po bëhet aktualisht nga Ministria e Energjisë.

Ergys Verdho erdhi në krye të KESH në qershor të vitit 2021, duke zëvendësuar në këtë detyrë Benet Becin, i cili dha dorëheqjen për shkak të angazhimive në politikë.

Më herët, Verdho kishte mbajtur detyrën e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në vitin 2022, të ardhurat e KESH u rritën me 256%, në 35.6 miliardë lekë, sipas të dhënave ende të paaudituara, të raportuara nga vetë KESH. Por, shtrenjtimi i energjisë në vitin 2022 dha një efekt të rëndë në financat e KESH, që e mbylli vitin me një humbje prej 26.7 miliardë lekësh, nga fitimet e 3.5 miliardë lekëve në vitin e mëparshëm.

Në janar të vitit 2022, prodhuesi publik i energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shtetërore (KESH), u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme për klientët universalë, rol që më parë e kishte pasur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Deri në fund të vitit 2021, Shoqëria KESH luante në sistemin elektroenergjetik shqiptar vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHHE Group), për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar nga rritja e çmimeve të energjisë në bursa.

Në vitin 2022, sfida më e madhe me të cilën u përball KESH ishin çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”,  Verdho ka pohuar se “Viti 2022 cilësohet si një vit specifik dhe i vështirë, ku aktiviteti operacional i Korporatës u përball me sfida të vështira, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë dhe gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji. Vetë detyrimi i ngarkuar për shoqërinë përbënte një sfidë, e cila shoqërohej me të gjithë ndikimet si natyrore, edhe të aktorëve jashtë vendit.

Viti 2022 ishte i vështirë në aspektin hidrik, i cili i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme.

Sfidat e vitit 2022 ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët”, pohon Administratori i KESH, Ergys Verdho.

Viti 2023 ka qenë më pozitiv. Z. Verdho tha se për shkak të prurjeve hidrike të fund të vitit 2022 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, është në një situatë me ekspozim të ulur ndaj krizës energjetike./ Revista “Monitor”

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.