Dhoma e Deputetëve në Itali miraton marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Miks Albania

Dhoma e deputetëve në Itali miratoi projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy kampeve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë.

Projektligji u miratua me 155 vota pro. 115 ishin kundër dhe 2 abstenim.

Pas votimit, shumica duartrokiti. Projektligji tani kalon në Senat.

Marrëveshja e nënshkruar në 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama, parashikon ngritjen e dy qendrave, e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të migrantëve dhe e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Sipas protokollit mes dy vendeve, në Shqipëri do të transferohen migrantët e kapur në det të hapur.

Sipas marrëveshjesh Shqipëria ofron vetëm territorin e saj, ndërkohë që përgjegjësia, përfshirë dhe juridiksionin mbi dy qendrat, mbetet vetëm e Italisë.

Opozita italiane ngriti pikëpyetje të shumta mbi marrëveshjen dhe e kundërshtoi atë me forcë, duke vënë theksin mbi rrezikun e shkeljes së normave dhe konventave ndërkombëtare, apo dhe mbi vetë dobinë e këtij akti.

Në Shqipëri opozita gjithashtu ka shprehur shqetësime serioze. Sipas saj marrëveshja vlerësohet të ketë elementë të tillë që shkojnë përtej një dokumenti mes dy qeverive, e për pasojë do të duhej të ishte kërkuar autorizim nga presidenti i Republikës.

Po ashtu njohja e juridiksionit italian mbi territorin ku do ngrihen qendrat shihet si cënim i sovranitetit dhe integritetit territorial. Pikërisht për këto çështje dhe pretendimet se protokolli mes dy vendeve bie ndesh dhe me konventat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, 28 deputetë të së djathtës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në muajin dhjetor kjo Gjykatë vendosi pezullimin e procedurave të ratifikimit në parlament. Çështja po gjykohet me dyer të mbyllura vetëm mbi bazën e dokumentacionit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.