Para nisjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari i këtij komisioni Enkelejd Alibeaj ka bërë publike 4 çështjet që sipas tyre janë më të rëndësishmet për të marrë zgjidhje dhe që janë depozituar në një paketë në Kuvend.
Alibeaj rendit listat e hapura, sistemin proporcional, votim e numërim elektronik dhe votën e diasporës.
“Sot është thirrur edhe një nga mbledhjet e radhës të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Janë 4 çështje kryesore të cilat janë të depozituar në një paketë të plotë të depozituar në Kuvend.
Në identifikimin e këtyre çështjeve kryesore jemi nisur nga interesi më i madh i shqiptarëve.
Konkretisht, e para çështje është ajo që ka të bëjë me lista të hapura. Propozimi ynë e përcakton bazuar edhe në parashikimin kushtetues që sistemi zgjedhor do duhet të jetë me lista të hapura. Do të jenë shqiptarët që do përzgjedhin secilin nga kandidatët do duan të votojnë.
Së dyti, propozimi është ai që ka të bëjë me atë që quhet proporcionali kombëtar, barazia e votës. Do duhet të ketë të njëjtën peshë teksa delegon përfaqësuesin e vetë. Sistemi proporcional është sistemi më i thjeshtë që garanton këtë barazi të votës.
Çështja e tretë ka të bëjë me votimin dhe numërimin elektronik. Votimi dhe numërimi elektronik do garantojë edhe nxjerrjen e rezultatit në një kohë shumë të shpejtë.
Çështja e katërt është ajo që ka të bëjë me votën e diasporës. Shumë shqiptarë janë detyruar të largohen. E para është detyrim kushtetues. Kushtetuta e Shqipërisë i njeh çdo shqiptari ata që rrinë brenda territorit por edhe ata që janë larguar kanë të drejtën për të vendosur fatin e këtij vendi. Është një instrument për t’i bërë të interesuar dhe shqiptarët që ndodhen jashtë Shqipërisë që të interesohen për këtë vend dhe të rikthehen në këtë vend dhe të marrin fatet e tyre në dorë”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.
Partia Demokratike e përfaqësuar nga Sali Berisha e refuzon këtë komision pasi kërkojnë të ndryshojnë përfaqësuesin e saj Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar dhe kjo është hedhur poshtë me vota në Kuvend nga mazhoranca.