Berisha apelon arrestin shtëpiak, avokatët mbrojtes dorëzojnë ankimimin

Miks Albania

Pasi Gjykata Antikorrupsion e la në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore ish kryeministrin Sali Berisha, avokatët e këtij të fundit ankimuan vendimin në Apelin e Posaçëm. Lajmi u konfirmua për Vizion Plus nga mbrojtësi i tij, Sokol Mëngjesi.

Sipas tij, gjyqtarja Irena Gjoka nuk duhet të kishte vendosur ndaj liderit të opozitës arrest në shtëpi pasi ajo është e njëanshme në proces. Mëngjesi thotë, se Irena Gjoka nuk duhet të kishte gjykuar çështjen për shkak të konfliktit të interesit që ajo sipas tij ka në këtë çështje. Ai solli edhe një herë në kujtesë se gjytarja e posaçme është shkarkuar nga vetë Sali Berisha kur ai drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Kjo ka qenë nga fillimi një argument i mbrojtjes për të kërkuar pesë herë rresht përjashtimin e Gjokës, mirëpo të gjitha herët përmes vendimesh të ndërmjetme kërkesa e tyre u rrëzua.

Ndaj ish- kryeministrit u vendos arrest shtëpiak, pasi ai theu masën e “detyrimit të paraqitjes” 3 herë rresht.

Kjo e detyroi SPAK dhe prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai të kërkojnë një masë të dytë zëvendësuese, që kaloi në filtrin e Kuvendit. Kanë qenë votat e 75 deputetëve që zhveshën nga imuniteti Sali Berishën duke i hapur rrugë gjykatës të caktojë ndaj tij arrest shtëpiak.

Ish- shefi i ekzekutivit hetohet për korrupsion në privatizimin e ish- kompleksit sportiv Partizani, pasi sipas SPAK ka ndërhyrë duke nxjerrë akte nënligjore në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Edhe ky i fundit si vjehrri i tij, tashmë është në arrest shtëpiak, pasi gjyqtarja e Apelit Iliriana Olldashi i ndërroi masën e arrestit në qeli.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.