Çmimi i naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare preku këtë të mërkurë një nga nivelet më të ulëta të muajve të fundit. Një fuçi nafte në bursën e Teksasit u shit me 69.2 Dollarë, vlera më e ulët kjo që prej Korrikut të vitit të shkuar.
Krahasuar me gati 10 ditë më parë çmimi për një fuçi naftë në këtë bursë ka rënë me gati 11 Dollarë. Të njëjtin trend ka ndjekur edhe bursa e Londrës ku ari i zi për kontratat e muajit janar u shit me 74.3 Dollarë për fuçi.
Ekspertët vlerësojnë se një ndikim në rënien e çmimit të naftës së papërpunuar ka patur edhe vendimi i një dite më parë i Arabisë Saudite e cila vendosi që të ulë me 0.50 dollarë për fuçi çmimin e arit të zi të papërpunuar për blerësit aziatik.
Gjithashtu faktor që ka ndikuar në rënien e çmimit të naftës gjatë ditëve të fundit konsiderohet edhe nafta qe vjen jo nga Lindja e Mesme, e cila është bërë më tërheqëse për blerësit pas vendimit të OPEK për të ulur prodhimin.