Ceremonia e 115-vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip, Begaj thirrje për pasurimin e gjuhës amtare

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh. T. Z Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 115-vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip të zhvilluar sot në Manastir.

Kreu i Shtetit bëri thirrje për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës amtare, për unitet dhe gjithëpërfshirje në nismën kombëtare të identitetit shqiptar. Në nderim të përpjekjeve të bëra 115 vjet më parë nga atdhetarët tanë, Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, vlerësoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit, si një lëvizje jo vetëm gjuhësore, por edhe politike, vendimtare për ekzistencën e shqiptarisë.

“115 vjet më vonë e kuptojmë se shqipja jonë është gur themeli i identitetit shqiptar dhe i shpirtit të popullit tonë. Në një farë mënyre, është si e kuqja e flamurit që mban shqiponjën dykrenare (dhe përkrenaren e Kastriotit)”.

“Sot ne e marrim si të mirëqenë ekzistencën e shqipes, por në një ditë të tillë duhet të mos harrojmë luftën dhe përpjekjet titanike që na sollën deri këtu. Në fakt, po të lexoni historinë dhe gjithçka që ka pasur kundër, është mrekulli që shqipja mbijetoi dhe sot flitet nga miliona shqiptarë anembanë botës”.

Në kontekstin e sotëm të influencës së gjuhëve të huaja, Presidenti i Republikës e vlerësoi si domosdoshmëri faktin që krahas mësimit të tyre, të bëhen përpjekje që shqipja të mos humbasë e të mos izolohet, por të pasurohet në përputhje me realitetet e reja.

“Shqipja ka aq fjalë, sa të shprehë pa vështirësi edhe konceptet më të vështira. Mjeshtëria nuk qëndron në zëvendësimin e fjalëve tona me fjalë të huaja për të treguar epërsi intelektuale, por në punën e vështirë të gjetjes së fjalëve në shqip dhe lëvrimin e drejtë të gjuhës tonë. Çështja e ruajtjes dhe e zhvillimit të gjuhës nuk mund të jetë monopol i gjuhëtarëve. Të gjithë ata që punojnë në profesione të ndryshme dhe sjellin fjalë apo koncepte të reja, duhet të japin kontribut për një shqipe më të mirë, më të shumëllojshme dhe më elastike”.

Gjatë qëndrimit në Manastir, Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ai gjithashtu bëri të ditur nismën për mbrojtjen e gjuhës amtare dhe promovimin e librit shqip kudo ku jetojnë shqiptarët.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.