Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si zgjedhje e parë e nomadëve dixhitalë amerikanë të cilët janë gjithnjë në rritje. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, rreth 16,9 milionë amerikanë e konsiderojnë veten nomadë dixhitalë, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2019.
Aktualisht, ka më shumë se 50 vende që ofrojnë viza nomade dixhitale që lejojnë punëtorët në distancë dhe personat e vetëpunësuar të jetojnë dhe punojnë në një vend tjetër.
Revista amerikane e udhëtimeve “Travel off Path” rekomandon vendet më të mira evropiane që ofrojnë aktualisht viza nomade dixhitale mes të cilave është renditur edhe Shqipëria.
Vendi ynë është një nga vendet kryesore evropiane për nomadët dixhitalë për shkak të lehtësisë së lëvizjes. Shqipëria ofron një vizë nomade dixhitale dhe nuk ka asnjë kërkesë minimale të të ardhurave. Shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë deri në një vit pa vizë. Ka shumë arsye pse nomadët dixhitalë do ta ndjejnë veten mirë në vendin tonë.
Shqipëria ka disa nga plazhet më mahnitëse në Evropë. Destinacionet bregdetare si Saranda dhe Ksamili janë perfekte për nomadët dixhitalë. Ka male mahnitëse, qytete të lashta dhe një kryeqytet shumë tërheqës. Jetesa në Shqipëri është më e lirë se pothuajse kudo tjetër në Evropë, duke e bërë atë shumë të përballueshëm për nomadët dixhitalë.