Adoleshentët e kanë kthyer në një trend përdorimin e cigareve elektronike “Vape”, që në vend të tymit çliron avuj. Shpesh të vënë nën presionin e shoqërisë dhe tundimit nga shijet e ndryshme që “Vape” ofron, një pjesë e mirë e adoleshentëve janë kthyer në përdorues të rregullt duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre.
“Sot në Shqipëri hyjnë 250 lloje të ndryshme Vape, në doganën shqiptare quhen të rregullta, të certifikuara, por ne nuk dimë çfarë produkti po përdoret në vendin tonë. Kjo, pasi ne në dogana nuk kemi laborator, as në agjencinë e duhan-cigareve nuk kemi laborator, në asnjë vend dhe ne i marrim të mirëqena siç i porosit tregtari”, thotë Roland Shuperka, ekspert për Çështjet e Duhanit dhe Alkoolit.
Mungesa e kontrollit i bën këto produkte të pasigurta, për të rriturit, ndërsa për fëmijët të ndaluara në mënyrë kategorike, pasi eksperti sqaron se ato janë krijuar vetëm për duhanpirësit që t’i ndihmojnë në shkëputjen e varësisë nga duhani tradicional me djegie.
Si një ndër hartuesit e ligjit të alkoolit dhe duhanit, Shuperka kërkon që të forcohen masat ndëshkimore për shitësit që shkelin ligjin dhe iu tregtojnë çdo lloj produkti, qoftë ky duhan tradicional, me ngrohje apo avull fëmijëve nën 18 vjeç.