Atentati në Greqi, mediat greke: 6 viktimat janë turq, fillimisht u raportuan shqiptarë

Në Greqi, policia po vijon hetimet për masakrën me 6 persona të vrarë në qytetin bregdetar të Artemidës në Atikën Lindore, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit grek, mbasditen e së hënës.

Teksa u tha se viktimat ishin të gjithë shqiptarë, nga hetimet e autoriteteve greke, rezulton se viktimat ishin turq me origjinë kurdë, të pajisur me dokumente franceze.

Ndërkohë, ka gjasa që konfuzioni se mund të ishin shqiptarë, ishte krijuar nga fakti që brenda mjetit u gjetën dhe disa pasaporta shqiptare, që mendohet se kanë qenë false.

Hetimi i autoriteteve për identifikimin e plotë të tyre është ende në vazhdim, për të përcaktuar nëse sendet e identifikimit që dyshohet se janë gjetur në zotërim të viktimave janë origjinale apo false.

Ato që janë padyshim false, sipas policisë, janë targat gjermane të makinës Ford, të cilat dyshohet se janë ngjitur në makinë.

Gjashtë personat u qëlluan në një rrugë të izoluar rreth orës 18:30 të së hënës në mbrëmje, ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane. Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij.

Asnjë nga gjashtë viktimat – të cilat ende nuk janë identifikuar zyrtarisht – nuk u gjet me precedentë penalë në Greqi, ndërsa fakti që asnjë prej tyre nuk ishte i armatosur po trajtohet gjithashtu si potencialisht i rëndësishëm.

Hetuesit mjeko-ligjorë janë duke kërkuar në vendin e krimit që nga e hëna në kërkim të provave që tregojnë se si ndodhi ngjarja dhe identiteti i autorëve, dhe kanë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja të qëlluara nga një pistoletë.

Sipas informacioneve, skenari i konsideruar si më i mundshmi nga autoritetet është se bëhet fjalë për një larje hesapesh, lidhur me një rast droge.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.