Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me vrasjen e 37-vjeçares Amanda Pushani në rrugën “Hajdar Hidri”, në Tiranë rreth orës 11:40 të ditës së djeshme.
Sipas policisë, fillimisht familjarët deklaruar se 37-vjeçarja kishte humbur jetën nga shkaqet natyrale, por pas hetimeve rezultoi se ajo është vrarë me thikë nga motra e saj Marsela Pushani, 40 vjeçe, me të cilën kishte patur një konflikt.
40-vjeçarja është arrestuar nga policia për akuzën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Njoftimi i Policisë
Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.
Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.