Operacioni anti-drogë çoi në zbulimin e një sere në Berat prej 8 dynymësh në të cilën kultivohej kanabis. 80 puntorë kryesisht gra u kapën duke punuar në serën e kanabisit në Drenovicë të Beratit, e cila ndodhet mes dhjetëra të tjerave me perime.
Burimet thanë se serat janë në pronësi të Xhimi Dylit, i cili i kishte dhënë ato me qira.
Policia ka shoqëruar edhe kryeplakun, Sokol Kallmi pasi ky i fundit nuk kishte dhënë informacione mbi serat e kanabisit, ndërkohë janë arrestuar nëntë persona të armatosur që ruanin kanabisin. Kamionët e ushtrisë ngarkuan kanabisin e sekuestruar që ishte mbjellë në sipërfaqen prej 2 hektarësh. Burime bëjnë të ditur se është sekuestruar 800 kg kanabis.
Ndërsa brenda serës u gjetën sende personale të punëtorëve, të cilët dyshohet se vinin nga qytete të ndryshme dhe jetonin brenda kësaj ferme në Dronovicë të Beratit.
Numri i bimëve të kultivuara është me mijëra, por Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë informacion zyrtar mbi sasinë e lëndës narkotike dhe personat e arrestuar.