78-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Veliaj: “Kur jemi bashkë, bëhemi më të fortë

Tirana feston sot 78-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë.

Në ceremoninë e vendosjes së kurorave te “Partizani I Panjohur”, organizuar nga Bashkia e Tiranës, ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe personalitete të tjera të shtetit.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se vetëm kur jemi bashkë, njësoj si kundër pushtuesit, ne mund të ringrihemi më të forte, edhe kur na kërcënojnë fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo lufta në Ukrainë.

“Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën Lindore që u çlirua me forcat e veta dhe të aleatëve, pa asnjë këmbë ushtari rus në territorin e saj. E sot, teksa trupat ruse synojnë territore të tjera, besoj se për të gjithë ata që kanë një pikëpyetje për luftën, e për të gjithë ata që përdorin politikën për t’u ndarë mbi rëndësinë e luftës, do duhet ta mendojnë sërish! Ndaj, e kam zemrën plot krenari për të gjithë qytetarët tanë, për të gjithë ata që mishërojnë vlerat e luftës, për të gjithë ata që, edhe në politikën e ditëve të sotme, teksa ne përballemi fillimisht me tërmetin, pastaj me pandeminë, mandej me inflacionin e luftës së Putinit – si një luftë e pabesë ndaj popullit të Ukrainës, por edhe një luftë e pabesë ndaj Perëndimit dhe misionit tonë perëndimor – sot, më shumë se kurrë lipset të jemi bashkë. Kur jemi bashkë ne mund të bëjmë gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Kur jemi bashkë mund të kalojmë situata që, veç e veç nuk i kalojmë dot. Kur jemi bashkë ne mund të ngrihemi më të fortë, ndoshta edhe më të fortë seç ishim kur u rrëzuam prej tërmetit, prej pandemisë, apo prej kësaj lufte të pabesë. Ndaj miq, sot misioni është i njëjtë si në 17 nëntor të 1944-ës, për të qenë bashkë, për të qenë solidarë, për të qenë perëndimorë,” u shpreh Veliaj.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.