Media britanike, Daily Mail, raporton se 50 kriminelë shqiptarë që aktualisht janë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në atdhe për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. 10 të dënuarit e parë pritet që të deportohen me një avion charter gjatë javëve të para të Janarit.
“Është një “hap i parë” nga dy kombet drejt një rutine të largimit të qindra të burgosurve shqiptarë, duke shpëtuar miliona Paund nga paratë e taksapaguasve britanikë dhe duke krijuar hapësirë në burgjet e tejmbushura”, shkruan Daily Mail.
Sipas medias britanike të gjithë të burgosur që do të vijnë drejt vendit tonë do të kryejnë dënimin e plotë që është vendosur nga gjykatësit në Mbretërinë e Bashkuar.
Deri më tani, deportimet nga Zyra për Punët e Brendshme drejt Tiranës përfshinin kriminelë, të cilët kishin mbaruar dënimin në Britani ose kishin kaluar kanalin e “La Manshit” në mënyrë ilegale.
Një burim i qeverisë shqiptare tha dje se bisedime intensive mes ministrit britanik të drejtësisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një marrëveshje për transferimet e para në burgje.
“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi sipas Daily Mail.
Media britanike shkruan se shqiptarët përfaqësojnë 10% të të huajve që mbahen në burgjet e Anglisë dhe të Uellsit. Megjithëse grupi i parë i të dëbuarve kanë rënë dakord të kthehen, marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar thotë se të burgosurit mund të transferohen në të ardhmen edhe pa pëlqimin e tyre.
Daily Mail shkruan se në të ardhmen sipas kësaj marrëveshjeje do të jenë të detyruar që të kthehen në Shqipëri disa shqiptarë që vuajnë dënime për vrasje apo për trafik droge.
Si raste, Daily Mail sjell në vëmendje Koçi Selamajn 37-vjeçarin që vrau Sabina Nessa-n në Shtator të 2021-shit ndërkohë që ajo ecte në një park në Londër. Për këtë krim ai u dënua me 36 vite burg.
Një tjetër vrasës që vuan dënim në burgjet britanike është Ali Qazimaj, 48- vjeç. Ai vrau një 75-vjeçar të quajtur Peter Stuart, ndërsa gruaja e këtij të fundit nuk u gjet kurrë.
Gjithashtu Daily Mail thotë se në burgjet britanike ndodhen edhe bosët e drogës si Valjet Pepaj, 32 vjeç i dënuar me 27 vite burg, Erald Mema, 37 vjeç i dënuar me 25 vite burg dhe Sami Qerkini, 57 vjeç i dënuar me 20 vite burg.
Në burgjet në Angli sipas medias britanike vuajnë dënimet për krime të ndryshme 1,336 shqiptarë.
Ministria e Drejtësisë në Shqipëri do të marrë informacion mbi vendimet e dënimit të kriminelëve shqiptarë dhe detajet e veprave për të cilat ata u shpallën fajtorë.