Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kreu sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe vendosi një kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.
Kreu i Shtetit nderoi veprën e tyre sublime për atdheun, ndërsa përcolli një mesazh të veçantë për të rinjtë.
“Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre”, u shpreh Presidenti i Republikës, në profilin e tij zyrtar në facebook.
Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe zyrtarë të tjerë.
Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.