Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të enjten në qytetin Brest të Francës, ku një çift shqiptar u gjet i pajetë në apartamentin e tyre, raportojnë mediat franceze.
Alarmi është dhënë rreth orës 16:30, pasi një banor i lagjes Europe telefonoi policinë duke deklaruar se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet. Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku gjetën trupat e Andon Janaqit (36 vjeç) dhe Anjeza Zenelit (30 vjeçe). Pranë tyre u gjet edhe një armë gjahu, ndërsa shenjat paraprake sugjerojnë se gruaja është vrarë fillimisht dhe më pas autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.
Sipas mediave franceze, çifti ishin prindër të dy djemve 9 dhe 3 vjeç. Në momentin e krimit makabër, 3-vjeçari ka qenë në banesë. Ndërsa djali i madh, 9-vjeçar, ndodhej në shkollë në momentin kur ndodhi ngjarja.
Autoritetet franceze kanë deklaruar se dy fëmijët e mitur janë nën përkujdesjen e shërbimeve sociale të tyre.
Por është mësuar gjithashtu se viktima, Anjeza Zeneli, e kishte denoncuar më 23 tetor bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikologjike, duke thënë se ai ishte shumë xheloz. Më pas, ajo kishte tërhequr denoncimin e saj, duke thënë se donte që bashkëshorti i saj të rehabilitohej dhe të ishin bashkë.
