Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një çerdhe shtetërore në Fushë-Kosovë ku një fëmijë vetëm 3-vjeç është dhunuar nga edukatoret e këtij institucioni.
Daja i fëmijës, Fatos Geci, thotë se njëra nga edukatoret e dhunon dhe më pas e tërheq zvarrë vogëlushin nëpër çerdhe.
Sipas tij, 3-vjeçari është futur brenda një dhome pa kamera ku është dhunuar brutalisht nga pastruesja dhe kuzhinierja e institucionit.
Pasi e nxjerrin nga dhoma, sërish një tjetër edukatore shkon dhe e tërheq zvarrë.
“Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fush Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gezimi yne”, është rrahur brutalisht nipi im i preferuar Lisi, vetëm 3 vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qarte qe po rrihet ne derë pastaj terhiqet zvarre, me pas e dergojne perseri ne nje dhome pa kamera dhe e rrahin pa meshire te 2 “mesueset” e kesaj qerdhje bashkë me pastruesen apo kuzhinjeren!
Nipi im ka pësuar trauma të rënda psiqike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh. Kërkoj nga organet e drejtësis të bëjnë punën e tyre. IDIOTEVE dhe mostrave të tilla duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve. DHUNUESET e tilla NUK e kane vendin ne arsim.”, shkruan ai.
Gjithashtu daja i vogëlushit ka treguar edhe shenjat e dhunës në trupin e të miturit.
Ndërkaq për rastin ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arbërie Nagavci, e cila ka deklaruar se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj abuzuesve, ndërsa theksoi se “nuk është vetëm reagim i një edukatore por shihet se është më shumë se një person, që kanë qëndruar indiferente ndaj rastit”.
“Inspektorët e arsimit janë atje, pres dhe do të sigurohem që si ministre të merren të gjitha masat që janë të parapara ndaj abuzuesve të fëmijëve tanë. Jam tejet e shqetësuar që nga ato pamje duket se nuk është rast i izoluar, nuk është vetëm reagim i një edukatore por shihet se është më shumë se një person, që kanë qëndruar indiferente ndaj rastit”, ka bërë të ditur ajo, raportojnë mediat kosovare.