Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi mbrëmjen e së dielës në aksin Delvinë–Sarandë, ku dy motra të reja, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, humbën jetën në vendngjarje.
Ato po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës, kur automjeti i tyre u përplas kokë më kokë me një mjet tip Audi, i drejtuar nga Kevin Nora, 23 vjeç.
Sipas policisë, i riu që po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës ka rezultuar nën efektin e alkoolit, në masën 1.52 mg/l në momentin e aksidentit. Ai u arrestua menjëherë dhe referuar burimeve ai ka tentuar të parakalojë me shpejtësi një tjetër automjet, duke dalë në korsinë e kundërt ku ndodheshin vajzat, dhe si pasojë është përplasur direkt me mjetin e tyre tip “Lancia”.
Përplasja ka qenë e fuqishme dhe fatale, duke lënë të pajetë motrat Dhimaku në vend, ndërsa pasagjerja e tretë në makinë, Antonela Zhupa, 24 vjeçe, u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
