“2024, vit i nxehtë për gjithë globin”, Lajda Porja: Dimrin e presim në… 

Miks Albania

Nëntori vijon të ketë ditë të kthjellëta e me diell, pavarësisht rënies së temperaturave. Sinoptikania Lajda Porja tha në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se kjo pritet të ndryshojë gjatë së mërkurës e së enjtes me praninë e reshjeve të shiut dhe të dëborës në zonat malore. 

Porja shprehet se priten dy episode me shi në fund të muajit çka do të ndihmonte në plotësimin e nevojave energjetik dhe të bujqësisë. Sinoptikania shton se viti 2024 parashikohet të mbyllet si një prej më të nxehtëve në rang global. 

Lajda Porja: Nëse bëjmë një analizë deri më tani, nëntori nuk ka pasur reshje dhe shpresojmë që të  kemi në dhjetëditëshin e fundit ku ne presim edhe dy episode të tjera që të mund të plotësohen kuotat mujore sepse së pari, është një problematikë e theksuar për korporatën energjitike ku mund të themi që 100% të energjisë ne e kemi hidrike dhe kjo do të sillte problem. Së dyti, temperaturat të cilat kanë qenë të ulëta sa i përket nëntorit, mëngjeset minimale krijojnë mjaft problematika në bujqësi ku ka zona që janë edhe në vlera negative.  

Megjithatë, është parashikuar që deri në fund të dhjetorit, megjithëse do të kemi këto ditët me copëza dimri, 2024 do të jetë ndër vitet më të nxehta në histori në rang global sepse gjithë muajt deri më tani që janë regjistruar kanë pasur temperatura më të larta se mesatarja, pra kemi pasur një anomali të theksuar të temperaturave, kemi pasur anomali dhe shpërndarje jo homogjene të reshjeve. Nëse reshjet do të bien për të paktën dy javë përgjatë një muaji të nëntorit, bien vetëm në 24 orë apo 48 orë me një sasi të konsiderueshme dhe fenomenet ekstreme janë shumë më shumë prezente për shkak të ndryshimeve klimatike dhe kanë një shkallë agresiviteti mjaft më të lartë. Pellgu i Mesdheut po shikon ngjarje apo fenomene të cilat nuk janë tipike të klimës mesdhetare sikundër ishte stuhia që preku Spanjën, ku Valencia kishte një stuhi, ata po bëjnë një analizë për ta futur në shkallën e një uragani.   

Porja thekson se nuk pritet që Shqipëria të përfshihet nga i njëjti fenomen, ndonëse priten stuhi të forta ere, rrebeshe dhe shtrëngata kalimtare, kryesisht në bregdet. Pritet që dimri të fillojë në muajin janar. 

Lajda Porja: 2024 një vit i nxehtë për të gjithë globin, megjithatë parashikohet që ne të shikojmë nuanca dimri që nga 2025, që në muajin janar. 

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.