Viti i kaluar ishte më i nxehti i planetit. Sipas shkencëtarëve 2023 ka të ngjarë të jetë më i ngrohti në botë në 100,000 vitet e fundit.
Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian bën të ditur se rekordet e temperaturave u thyen vazhdimisht. Që nga qershori, çdo muaj ka qenë më i nxehti në botë krahasuar me të njëjtin muaj të viteve të mëparshme.
“Është e qartë, nuk ka pasur termometra apo satelit 100,000 vjet më parë. Por ne mbështetemi tek ndryshimet e mëdha që klima ka pësuar deri më tani, si shkrirja e akullnajave, i nxehti ekstrem, thatësira e vazhdueshme, përmbytjet e shumë të tjera. Ajo që kemi parë në 2023 ka shumë të ngjarë të jetë një nga vitet më të ngrohta.”
Mesatarisht, në vitin 2023 planeti ishte 1.48 gradë Celsius më i ngrohtë se në periudhën para-industriale 1850-1900, kur njerëzit filluan të digjnin lëndë djegëse fosile në një shkallë të madhe.
“Ajo që do të ndodhë më pas varet kryesisht nga ajo që do të bëjë El Niño më pas. Ky fenomen mund të shndërrohet edhe në La Niña, që është faza e ftohtë dhe kështu viti 2024 mund të mos jetë më i ngrohti i regjistruar. Nëse ai qëndron neutral ose kthehet në El Niño, atëherë 2024 mund të tejkalojë atë që kemi parë në vitin 2023.”
Por përpos kësaj ekspertët shprehen se temperatura mesatare gjatë pesë viteve të ardhshme do të jetë më e ngrohtë.