13 viktima nga 138 aksidente në një muaj

138 aksidente rrugore u regjistruan gjatë muajit Maj dhe dy ditëve të para të muajit Qershor, sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Tv Klan. Nga ngjarjet rrugore gjatë kësaj periudhe mbetën të vdekur 13 qytetarë dhe u plagosën, shpeshherë rëndë 188 të tjerë.

Sipas këtyre të dhënave, të cilat tregojnë një trend që ndiqet pothuajse çdo muaj, mesatarisht në Shqipëri, regjistrohen 4 aksidente rrugore në ditë, me një mesatare prej 5 qytetarësh të plagosur.

Fushatat sensibilizuese të Policisë, por edhe ashpërsimi i Kodit Rrugor edhe pse ka ulur numrin e aksidenteve, shifrat vijojnë të mbeten të larta.

Ndërsa ngjarjet rrugore vijojnë të jenë me pasoja të rënda dhe shpesh marrin edhe jetë të pafajshme, siç ishte aksidenti i të shtunës në Bërxullë, ku mbeti viktimë një 7-vjeçar.

Policia arrestoi të dy shoferët që u përplasën dhe më pas u futën në ambientet e lokalit dhe sipas hetimeve të Policisë njëri prej tyre ishte i dehur.

Aksidentet dhe sjellja në rrugë janë një nga arsyet më të shpeshta se pse shqiptarët përfundojnë përballë prokurorisë dhe gjykatës. Gjatë muajit Maj dhe 2 ditëve të para të Qershorit, janë regjistruar në total 303 vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, ku janë vënë në pranga 95 qytetarë dhe 179 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.