Në vitin 2023, 27% e të rinjve të Tiranës të moshës 15-29 vjeç rezultuan të jenë jashtë punës, arsimit apo trajnimit profesional (NEET), niveli më i lartë në shkallë vendi, sipas Anketës së Forcës së Punës dhe të dhënave të përpunuara nga Programi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Ky fenomen shqetësues përfshin më shumë se 1 në 4 të rinj në kryeqytet, ndonëse Tirana konsiderohet si qendra me më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi në vend.
Fenomeni i të rinjve NEET (Not in Education, Employment or Training) nuk është më vetëm problem social, por një kërcënim për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin demografik të vendit. 13% e NEET-ve në Tiranë janë aktivisht në kërkim të punës;14% janë tërhequr krejtësisht nga tregu i punës; 35% e tyre kanë vetëm arsim bazë, duke thelluar hendekun mes kërkesave të tregut dhe përgatitjes profesionale dhe 49% e NEET-ve në Tiranë janë gra, më pak se në qarqe si Vlora dhe Shkodra, por gjithsesi një tregues shqetësues i pabarazisë gjinore
Të dhënat tregojnë një shkallë të lartë papunësie afatgjatë edhe mes të diplomuarve universitarë. Mospërputhja mes diplomës dhe kërkesave reale të tregut, mungesa e përvojës, apo angazhimet familjare janë ndër faktorët kryesorë që i mbajnë të rinjtë jashtë sistemit. 34% e NEET-ve në rang kombëtar janë të papunë prej më shumë se një viti, duke humbur aftësi, vetëbesim dhe lidhje me rrjetet profesionale; 13% janë jashtë tregut për shkak të kujdesit për fëmijë apo familjarë; 99% prej tyre janë gra; 2% nuk kërkojnë më punë, sepse nuk besojnë se ekziston një vend për ta në treg dhe 5% nuk janë në gjendje të punojnë për arsye shëndetësore, shpesh pa mbështetje adekuate.
Këto të rinj nuk kontribuojnë në ekonomi, as me punë dhe as me taksa. Për më tepër, mungesa e perspektivës i shtyn shumë prej tyre të emigrojnë, duke përkeqësuar edhe më shumë krizën demografike dhe trysninë mbi forcën punëtore në Shqipëri.
